Enkel Rexhepi: Konsensusi politik i shqiptarëve nuk mund të cenohet nga iniciativa të njëanshme
Preshevë, 26 Shtator 2025 –
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Enkel Rexhepi, ka reaguar pas publikimit të një dokumenti nga kryetari i Komunës së Bujanocit, për të cilin thuhet se është dorëzuar autoriteteve serbe në një takim të mbajtur më 23 shtator.
Rexhepi thekson se çdo veprim që prek Planin me 7 pika, i cili është produkt i konsensusit të spektrit politik shqiptar në Luginë, duhet të kalojë përmes konsultimeve të plota me të gjitha palët, përfshirë edhe Tiranën dhe Prishtinën.
Sipas tij, tentativat për të shtuar dokumente apo propozime të reja, pa koordinim politik, dëmtojnë pozitën e shqiptarëve dhe i japin Qeverisë së Serbisë mundësinë të shmangë obligimet që vetë ka pranuar përmes Planit 7-pikësh.
Rexhepi gjithashtu ka kritikuar qasjen e dyfishtë ndaj KKSh-së, duke përmendur se ndërkohë që në dokument kërkohet rritja e buxhetit për Këshillin, në buxhetin komunal të Bujanocit për vitin 2025 janë paraparë vetëm 500 mijë dinarë për KKSh-në, ndërsa 2 milionë dinarë për pakicën rome.
“Veprime të tilla, pa konsultim dhe me mesazhe të dyfishta, e minojnë unitetin politik të shqiptarëve dhe rrezikojnë seriozitetin tonë para faktorit ndërkombëtar dhe vetë Qeverisë në Beograd,” – ka thënë Rexhepi.
Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe koordinim të plotë politik, duke ftuar që çdo propozim i ri të vijë vetëm pas dakordimit mes aktorëve politikë shqiptarë në Luginë.