Enkel Rexhepi: Komiteti i Këshillit të Evropës: Serbia nuk po respekton të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe
Prishtinë – Komiteti i Ekspertëve të Këshillit të Evropës mbi Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave ka rekomanduar qartë autoriteteve të Serbisë përdorimin e gjuhës shqipe në administratë, por deri më sot këto rekomandime nuk janë zbatuar.
Mes masave të rekomanduara nga Komiteti janë:
Përkthimi dhe publikimi i të gjitha dokumenteve zyrtare në gjuhën shqipe, përfshirë ligje, rregullore, vendime komunale dhe buxhete; Sigurimi i formularëve dygjuhësh për certifikatat e lindjes, martesës, vdekjes dhe dokumentet e tjera administrative; Krijimi i ekipeve për përkthyes në nivel komunal, rajonal dhe në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptar; Publikimi i dokumenteve në faqet zyrtare të institucioneve; Zhvillimi i sistemeve digjitale që mundësojnë aplikime në gjuhën shqipe.
Megjithë këto rekomandime, institucionet shtetërore serbe nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e tyre.
Përfaqësuesit shqiptarë kanë dërguar shkresë Komitetit të Ekspertëve, duke vënë në dukje se moszbatimi i këtyre masave cenon të drejtën e garantuar për përdorimin e gjuhës shqipe në administratë.
“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare; respektimi i saj nuk është dëshirë, por obligim të cilin Serbia e ka marrë me konventa ndërkombëtare,” thuhet në reagim.