Ekel Rexhepi: Prindërit të mos nxitojnë t’i blejnë librat, priten libra falas për nxënësit shqiptarë në Luginë
Preshevë – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ekel Rexhepi, u ka bërë thirrje prindërve të nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës që të mos nxitojnë t’i blejnë librat shkollorë.
Rexhepi ka bërë të ditur se janë në përpjekjet e fundit për përfundimin e procesit të sigurimit të librave falas për nxënësit shqiptarë.
“Prandaj, ju lutemi, mos nxitoni t’i blini librat!”, thuhet në njoftimin e tij.
Sipas Rexhepit, Këshilli Kombëtar Shqiptar, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, po punon që procesi të përmbyllet sa më shpejt.
Ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për sigurimin e mjeteve financiare, si dhe Shtëpinë Botuese “Albas” për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
“Besojmë se shumë shpejt do të kemi një zgjidhje konkrete”, është shprehur Rexhepi.
Nisma synon që nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës të pajisen me tekste shkollore falas në gjuhën shqipe, duke lehtësuar barrën financiare për familjet dhe duke kontribuar në zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare.
Rexhepi ka theksuar se angazhimi për sigurimin e librave do të vazhdojë deri në përfundimin e procesit.