Dragan Stojković Piksi jep dorëheqje pas humbjes nga Shqipëria
Përzgjedhësi i Serbisë, Dragan Stojković – Piksi, ka njoftuar se ka ofruar dorëheqjen nga posti i tij pas humbjes 0:1 ndaj Shqipërisë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, e zhvilluar në stadiumin “Dubocica” në Leskovac.
Në konferencën për media pas ndeshjes, Stojković deklaroi se ka biseduar me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë dhe se ka vendosur të mos udhëtojë me ekipin në ndeshjen e ardhshme kundër Andorrës.
“Kam zhvilluar një bisedë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kam ofruar dorëheqjen time. Ky rezultat ishte i papritur, e pranoj përgjegjësinë dhe unë jam fajtori i vetëm. Nuk do të udhëtoj me ekipin në Andorrë, ndeshjen do ta udhëheqë ndihmësi im i parë, Goran Đorović,” – u shpreh Piksi.
Ai shtoi se pavarësisht problemeve me përbërjen dhe mungesave të shumta për shkak dëmtimesh, përgjegjësia për rezultatet bie plotësisht mbi të.
“Jam selektor i këtij ekipi prej katër vitesh e gjysmë. Kemi pasur momente të bukura, por tani kemi zhgënjyer kombin. Pranoj pasojat pa asnjë justifikim. Ishte privilegj të udhëhiqja Serbinë,” – tha ai.
Pas këtij rezultati, Serbia mbetet me shumë pak gjasa për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror, ndërsa Shqipëria vazhdon ëndrrën për të siguruar vendin në play-off me një fitore të mundshme ndaj Andorrës.
/A1 Info/