Dr. Sc. Rabit Veseli emërohet drejtor i shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan
Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë ka marrë vendim që Dr. Sc. Rabit Veseli të emërohet drejtor i shkollës fillore “Sami Frashëri” në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit, me mandat katërvjeçar, raporton Lugina Press.
Veseli fillimisht mori mbështetje me shumicë votash nga Këshilli i Arsimtarëve në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit 2025. Më pas ai mori gjithashtu mendimin pozitiv nga shumica e anëtarëve të Këshillit të Shkollës.
Po ashtu, edhe Këshilli Kombëtar Shqiptar dha opinion pozitiv për vazhdimin e procedurës, ndërsa vendimi përfundimtar u mor nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë më 12 mars, duke e emëruar zyrtarisht Rabit Veselin në postin e drejtorit të shkollës.
Duke falënderuar të gjithë ata që e mbështetën, Veseli u shpreh se do ta ushtrojë detyrën me përkushtim dhe përgjegjësi, në shërbim të zhvillimit të arsimit dhe të shkollës.
Kush është Rabit Veseli?
Rabit Veseli ka lindur më 12 maj 1963 në Lluçan, komuna e Bujanocit.
Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, në shkollën “Sami Frashëri” në Lluçan. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës gjatë viteve 1986–1990, ku mori titullin Profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit.
Përvoja profesionale
1990–1999: Punoi si mësimdhënës në shkollën fillore në Lluçan. 1999–2003: Punoi në shkollën e mesme teknike “Hasan Tahsini” në Kastriot (Kosovë). Tetor 2003 – Maj 2012: Ishte drejtor i shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan.
Kualifikimet akademike
2008 – fitoi gradën Magjistër i Kulturës Fizike dhe Sportit. 14 nëntor 2016 – mori gradën Doktor i Kinezilogjisë në Fakultetin e Kulturës Fizike në Tetovë.
Angazhimi akademik
2017–2021: Ligjëroi në Kolegjin “Universi”, lëndët Zhvillimi Motorik dhe Pingpongu. Ka ligjëruar në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit në Prishtinë, në lëndën Sociologjia e Edukimit Fizik dhe Sportit. Po ashtu ka qenë i angazhuar edhe në Universitetin Internacional të Novi Pazarit, dega në Preshevë, ku ka kontribuar në procesin mësimor në fushën e edukimit fizik dhe sportit.