Deputeti Shaip Kamberi Refuzon Ftesën e Vuçiqit për Konsultimet e Formimit të Qeverisë së Re
Luginë – Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në emër të Listës zgjedhore “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon – Shaip Kamberi”, ka refuzuar ftesën e Presidentit Aleksandar Vuçiq për të marrë pjesë në konsultimet për formimin e qeverisë së re serbe.
Në një letër drejtuar Presidentit Vuçiq, Kamberi theksoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të jenë pjesë e një procesi të “rrejshëm të demokracisë”, duke akuzuar Beogradin për neglizhencë ndaj kërkesave legjitime të shqiptarëve që nga viti 2014.
Kamberi ka kujtuar se përfaqësuesit shqiptarë ndër vite kanë marrë pjesë në konsulta dhe kanë paraqitur kërkesat e tyre të bazuara në “Planin me Shtatë Pikë”, të miratuar edhe nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013. Sidoqoftë, sipas Kamberit, asnjë nga këto kërkesa nuk është realizuar deri më tani.
Në letrën e tij, ai renditi problemet kryesore që përballen shqiptarët në Serbi:
• Pasivizimi i adresave: Shqiptarët vazhdojnë të përballen me pasivizimin e adresave të banimit, duke u mohuar të drejtat bazë.
• Mosnjohja e diplomave: Diplomat nga universitetet e Kosovës nuk njihen ende, duke detyruar të rinjtë shqiptarë të largohen nga Lugina e Preshevës.
• Papunësia dhe diskriminimi në institucione: Shqiptarët përballen me pengesa për t’u punësuar në institucione publike.
• Gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim: Gjuha e urrejtjes dhe trajtimi i shqiptarëve si qytetarë të dorës së dytë vazhdon të mbetet problem.
• Mungesa e përfaqësimit në polici: Në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nuk janë punësuar policë shqiptarë për vite të tëra.
• Moszbatimi i premtimeve gjatë pandemisë: Mjekët shqiptarë që punuan gjatë pandemisë COVID-19 janë ende të papunë, pavarësisht premtimeve për punësim të përhershëm.
Kamberi theksoi se nuk do të marrë pjesë në një “proces të rrejshëm të demokracisë” derisa shqiptarët e Luginës së Preshevës të trajtohen si qytetarë të barabartë. Ai kërkoi një qasje të re për zgjidhjen e krizës politike në Serbi, duke respektuar lirinë e medias, të drejtat e njeriut dhe pakicave kombëtare.
Deputeti shqiptar shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo palë që do të angazhohet seriozisht për zgjidhjen e çështjeve legjitime të shqiptarëve në frymën e standardeve evropiane.
Postimi i plotë i Shaip Kamberit:
https://www.facebook.com/share/p/18snG1LQsV/?mibextid=wwXIfr
