Deputeti Shaip Kamberi njofton bojkotimin e punimeve të Parlamentit të Serbisë për shkak të shkeljeve sistematike të të drejtave të shqiptarëve
Deputeti popullor Shaip Kamberi, përmes një deklarate të publikuar sot, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë. Ai argumenton se komuniteti shqiptar, që përfaqëson, mbetet besnik vetëm orientimit pro-evropian të Ballkanit Perëndimor dhe beson fuqishëm në vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë.
Kamberi thekson se respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është themeli i çdo shoqërie të shëndoshë evropiane. Ai shpreh shqetësim për krizën politike dhe institucionale në Serbi dhe bojkotin e opozitës pro-evropiane ndaj punës së Parlamentit si reagim ndaj kësaj krize.
Deputeti thekson se shqiptarët në Serbi vazhdojnë të përballen me shkelje të rënda të të drejtave të tyre, përkundër marrëveshjeve të nënshkruara me Beogradin në vitet 2001, 2009 dhe 2013. Problemet përfshijnë mosnjohjen e diplomave, nënpërfaqësimin politik dhe institucional, pasivizimin administrativ dhe mungesën e perspektivës ekonomike, që sipas tij përbëjnë një agjendë sistematike për shpopullimin e Luginës së Preshevës.
Ai kritikon mungesën e vullnetit politik për të proceduar me nisma ligjore që do të përmirësonin pozitën e shqiptarëve, të cilat sipas tij mbeten të bllokuara në Parlament. Kamberi thekson se demokratizimi i Serbisë kërkon më shumë se ndërrimin e pushtetit, duke përfshirë një shkëputje nga politika imperialiste e viteve ’90 dhe respekt të plotë për të gjitha komunitetet.
Në përfundim, Kamberi thekson se ndërtimi i një shoqërie pro-evropiane është i mundur vetëm duke garantuar kushte të barabarta dhe trajtim dinjitoz për të gjithë qytetarët, përfshirë shqiptarët, dhe se do të njoftojë për veprimet e ardhshme politike, të cilat do të koordinohen me aleatët dhe mbështetësit e vlerave demokratike dhe properëndimore.
A1info