Debat për Presidenten: Murat Jashari reagon i pari, pas tij edhe Remi Rrustemi
Deklarata e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se ekziston konsensus që Presidenti/Presidentja e ardhshme të vijë nga familja Jashari, ka nxitur reagime të menjëhershme.
Fillimisht ka reaguar Murat Jashari, djali i komandantit legjendar Adem Jashari, i cili theksoi se familja Jashari i përket të gjithë shqiptarëve dhe nuk duhet të përdoret për kalkulime apo interesa politike.

Pas deklarimit të Murat Jasharit, ka reaguar edhe komandanti i UÇK-së, Remi Rrustemi. Ai u shpreh se “po afrohet zgjedhja e Presidentes” dhe paralajmëroi se nuk duhet lejuar që nisma politike të ndërtohen mbi mashtrime, duke përdorur emra që përfaqësojnë vlera të jashtëzakonshme kombëtare.

“Presidentja nuk zgjidhet në oda e shtëpi private, por në institucione”, theksoi Rrustemi, duke shtuar se çdo tentim për të bërë lojë me këto vlera është përpjekje e qëllimshme për t’i devalvuar ato.
Zhvillimet kanë shtuar debatet politike në vend, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë hapa konkretë drejt propozimit të një kandidature nga familja Jashari për postin e Presidentit/Presidentes.