Çedomir Stojković për kamionin frigoriferik të vitit 1999: “Serbia duhet të ndiejë turp të thellë kombëtar për krimet ndaj shqiptarëve”
Avokati serb Çedomir Stojković ka reaguar ndaj përdorimit të fotografisë së kamionit frigoriferik, në të cilin u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se kjo ngjarje duhet të shërbejë si kujtesë për krimet e kryera dhe si thirrje për përgjegjësi morale.
Në reagimin e tij, Stojković kujton zbulimin në vitin 1999 të trupave të pajetë të shqiptarëve në një kamion frigoriferik, të cilët më pas u transportuan fshehurazi në Batajnicë, pranë Beogradit, në kuadër të përpjekjeve për të fshehur gjurmët e krimeve.
Sipas tij, gjatë viteve 2001 dhe 2002, në Batajnicë u zhvarrosën mbetjet mortore të 889 personave, përfshirë burra, gra dhe fëmijë. Ai thekson se 83 prej viktimave ishin transportuar me kamionin frigoriferik, ndërsa përmend edhe pjesë të trupave të tre personave të tjerë.
Stojković e lidh këtë ngjarje me operacionin e koduar “Dubina 2”, për të cilin thotë se kishte për qëllim fshehjen e trupave dhe pengimin e zbardhjes së krimeve. Ai gjithashtu pretendon se strukturat e përfshira në këto veprime kanë pasur lidhje me ngjarje të tjera të rënda politike në Serbi, përfshirë atentatin ndaj kryeministrit Zoran Đinđić në vitin 2003.
Në reagimin e tij, avokati kritikon ashpër ideologjinë nacionaliste që, sipas tij, çoi në krime kundër shqiptarëve dhe shpreh keqardhje për faktin se, edhe pas kaq shumë vitesh, shoqëria serbe nuk ka arritur një qëndrim të përbashkët kundër këtyre krimeve.
Ai kundërshton gjithashtu përdorimin e fotografisë së kamionit për të shënjestruar persona të tjerë të gjallë, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të interpretohet si përpjekje për të relativizuar krimet dhe për të nxitur urrejtje.
“E vetmja gjë që duhet të ndiejmë kur shohim këtë fotografi është turp i thellë kombëtar”, është mesazhi thelbësor i reagimit të tij.
Në përfundim, Stojković shpreh solidaritet me personat që, sipas tij, janë vënë në shënjestër përmes manipulimit të fotografisë, si dhe me familjet e viktimave shqiptare, duke kërkuar reflektim dhe përgjegjësi për krimet e së kaluarës.