Bunar i ri në Toplik – Ardita Sinani: Investim i qëndrueshëm për të ardhmen ujore të Preshevës
Preshevë, 6 maj 2025 – Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vizituar sot vendin e punimeve në fshatin Toplik, ku po hapet një bunar i ri për furnizimin me ujë të pijshëm. Ky investim vjen si pjesë e strategjisë së vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe garantimin e një furnizimi të sigurt për qytetarët.

“Uji është jetë – dhe ne po investojmë aty ku ka më shumë rëndësi,” deklaroi Sinani. Ajo rikujtoi se pas hapjes së dy bunarëve në vitin 2021, ky projekt paraqet vazhdimin e punëve konkrete me qëllim rritjen e kapaciteteve ujore të komunës.
Kryetarja Sinani theksoi se ky investim është dëshmi e përkushtimit për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, duke shtuar se qeverisja lokale nuk ndalet me fjalë, por vepron me hapa të matshëm.
Punimet në Toplik pritet të përfundojnë në afat të shkurtër, duke sjellë lehtësime të ndjeshme për banorët e zonës që prej kohësh përballen me mungesë uji të qëndrueshëm.