Bujanoci mikpret gazetarët shqiptarë në kuadër të “Ditëve të Miqësisë”
Bujanoc, 23 Shkurt 2025 — Komuna e Bujanocit ishte nikoqire e një ngjarjeje të rëndësishme mediale, ku gazetarë nga e gjithë Shqipëria, të udhëhequr nga Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, vizituan qytetin në kuadër të edicionit të 14-të të “Ditëve të Miqësisë” së gazetarëve shqiptarë.
Ky event tashmë tradicional u organizua me mbështetjen dhe kontributin e vyer të kryetarit të Shoqatës RessEgnatia, z. Xhimi Vila, dhe u nderua nga prezenca e Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, z. Bardhyl Canaj.
Në kuadër të këtij takimi, gazetarët u pritën në kabinetin e kryetarit të Komunës së Bujanocit, ku më pas u zhvillua një tryezë diskutimi me temën “Turizmi dhe Media”. U trajtuan potencialet turistike të komunës, si dhe roli i mediave shqiptare në promovimin e këtyre resurseve, duke theksuar kontributin e gazetarëve në shtjellimin e temave që lidhen me këtë rajon.
Kryetari i Komunës shprehu kënaqësinë për interesimin e jashtëzakonshëm të gazetarëve shqiptarë në prezantimin e Bujanocit në mediat më të njohura të botës shqiptare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndarjes së përvojave mes mediave.
Në shenjë mirënjohjeje, disa prej kontribuuesve në përhapjen dhe forcimin e lidhjeve mes gazetarëve, si dhe atyre me përvojë, u nderuan me certifikata mirënjohjeje.
Agjenda e eventit përfshiu edhe një vizitë në muzeun e Komandant Lleshit në Tërnoc, ku gazetarët patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë dhe trashëgiminë e këtij vendi.
Në orët e mbrëmjes, anëtarët e Shoqatës Kulturore-Artistike “Zëri i Luginës” shfaqën segmente artistike, ndërsa pjesa tjetër e natës vijoi me një program argëtues, duke krijuar një atmosferë miqësore dhe festive.
Ky event shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes gazetarëve shqiptarë dhe promovimin e pasurive kulturore dhe turistike të Bujanocit.
Faleminderit gazetarëve shqiptarë, faleminderit Shqipërisë!




