Bujanoci dhe International Balkan University nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka njoftuar se sot në Shkup është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me International Balkan University (IBU), një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë.

Gjatë vizitës në këtë institucion, delegacioni nga Bujanoci pati mundësinë të njihet nga afër me kushtet dhe standardet që ofron universiteti. Sipas kryetarit Pajaziti, International Balkan University karakterizohet nga infrastrukturë moderne, ambiente funksionale dhe një qasje serioze ndaj arsimit, duke krijuar kushte shumë të favorshme për studentët.
“Nga ajo që pamë, IBU është shembull se si duhet të duket një institucion bashkëkohor i arsimit të lartë”, ka deklaruar Pajaziti.
Në takim, kryetari ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Kastriot dhe Selami. Bisedimet u zhvilluan në një frymë të hapur dhe konkrete, me fokus të veçantë në projekte të përbashkëta dhe forma bashkëpunimi që do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për studentët nga Komuna e Bujanocit.
Sipas Pajazitit, kjo marrëveshje nuk ka karakter vetëm formal, por synon bashkëpunim real në fushën e arsimit, shkëmbime akademike, projekte të përbashkëta dhe mbështetje për të rinjtë që dëshirojnë të investojnë në dije dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.