Bllokohen tri llogari bankare të Ndërmarrjes Publike “Moravica”, rrezikohen pagat dhe shërbimet për qytetarët
Visar Memeti, kryetari i APN, ka bërë të ditur se Ndërmarrja Publike “Moravica” tash e një javë ka tri llogari bankare të bllokuara nga Banka Popullore.

Sipas tij, arsyeja e bllokimit është një borxh i madh në vlerë prej rreth 400 mijë euro ndaj Elektrodistribucioni.
Memeti theksoi se menaxhmenti i ndërmarrjes ka qenë i vetëdijshëm për një kohë të gjatë për detyrimet financiare dhe rrezikun e bllokimit të llogarive, por, sipas tij, situata nuk është trajtuar me prioritet nga drejtuesit, përfshirë Ardita dhe Ragmia. Ai pretendon se fokusi ka qenë më shumë në tenderë sesa në stabilizimin financiar të ndërmarrjes.

Si pasojë e bllokimit të llogarive, rrezikohen pagesat e pagave për punëtorët, ofrimi i shërbimeve bazë dhe funksionimi normal i ndërmarrjes, e cila konsiderohet jetike për komunën dhe qytetarët.
Punëtorët dhe qytetarët pritet të përballen me pasoja të drejtpërdrejta nëse situata nuk zgjidhet shpejt, ndërsa kërkohet përgjegjësi dhe veprim urgjent nga institucionet përkatëse.
