Binjakëzime për propagandë, jo për shpëtim, Presheva po vidhet, qytetarët po torturohen, pushteti bën foto,Realiteti i hidhur në Preshevë
Në Preshevë nuk po qeveriset po luhet teatër. Po ushtrohet dhunë psikologjike dhe fizike mbi qytetarët e pambrojtur, ndërsa zyrtarët lokalë, me fytyra të buzëqeshura, po postojnë foto nga ceremonitë boshe të binjakëzimeve që nuk sjellin asgjë përveç propagandës.
Prej ditësh, qytetarët po torturohen nga një rregull për numrat e shtëpive një vendim i zbatuar në mënyrën të torturuar@. Në vend që të kenë shërbim dhe ndihmë, qytetarët përballen me zhvatje të pastër. Punonjës të administratës, në vend të ligjit, zbatojnë gjobitjen nën dorë. Kjo është mafie e maskuar si institucion. Krim me vulë zyrtare.
Në vend që të merren me këtë katastrofë që po ndodh para syve të qytetarëve, udhëheqësit e komunës janë të përqendruar në një “tur binjakëzimesh”, që as vetë nuk dinë me sa komuna janë binjakëzuar. Binjakëzime që nuk sjellin asnjë vend pune, asnjë investim, asnjë projekt konkret vetëm foto, dekorata dhe statuse për Facebook. Nëse do kishte ndonjë rekord botëror për binjakëzime pa asnjë dobi, Presheva do ta fitonte me lehtësi.
Kulturë e arsim, arsim e kulturë si papagaj përsërisin të njëjtat fjalë, ndërsa realiteti është i mjerë: rinia po largohet, ekonomia po vdes, dhe qytetarët nuk kanë më as shpresë, as zë. Po, është mirë që të rinjtë studiojnë në Shqipëri, por jo për t’u dëbuar prej këtu. Ata duhet të qëndrojnë, të punojnë, të ndërtojnë këtu. Por si? Kur çdo derë që hapin i pret një dorë që kërkon para nën tavolinë?
Ndërkohë që shteti serb po e pasivizon popullsinë shqiptare në mënyrë sistematike, pushteti lokal shqiptar nuk reagon. Përkundrazi bëhet pjesë e lojës. Me heshtjen, me paaftësinë, me foto të bukura në rrjete sociale që maskojnë varfërinë dhe padrejtësinë.
Ky është një pushtet që nuk qeveris, por mbijeton përmes manipulimit. Një drejtues që nuk mendon për zhvillimin, por për dukjen. Një administratë që nuk është në shërbim të qytetarit, por në shërbim të xhepit të vet.
Presheva nuk ka më kohë për iluzione. Ky realitet është i rrezikshëm. Është koha për zgjim qytetar, për kundërshtim të hapur ndaj krimit të institucionalizuar dhe për refuzim të propagandës që po na zë frymën. Mjaft më me zhvatje. Mjaft më me heshtje. Mjaft më me “show” dhe hiç me përmbajtje.
Koha për llogari ka ardhur.
Nga Kujtim Sadriu