Besnik Bislimi njofton BE-në për bllokimin e fondeve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, z. Peter Sørensen, lidhur me një çështje që, sipas tij, po merr karakter të një pengese sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Bislimit, 3,650 nxënës shqiptarë në Luginë po përdorin 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH). Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale për këtë proces.
Megjithatë, pagesa prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të gjitha rastet, transferi është refuzuar pa asnjë arsyetim ligjor apo teknik.
“Kjo nuk është një pengesë teknike, por një model i qëllimshëm administrativ që synon të ndalojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë,” – ka deklaruar Bislimi.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe anulimin e vendimit të KKSH-së për subvencionet bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se procedurat ligjore ishin përfunduar. Sipas tij, këto veprime përbëjnë një qasje të strukturuar të pengimit administrativ.
Bislimi theksoi se të gjitha provat dokumentare, përfshirë komunikimet SWIFT, kthimet bankare dhe vendimet qeveritare, i janë dorëzuar Bashkimit Evropian.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,” – u shpreh ai.
Në lidhje me këtë çështje kanë reaguar edhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, përfshirë kryetarin e KKSH-së Ragmi Mustafi, kryetaren e Preshevës Ardita Sinani, kryetarin e Bujanocit Arbër Pajaziti, deputetin Shaip Kamberi, si dhe kryetarin e Partisë Demokratike Nagip Arifi, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare për të ndalur pengesat ndaj mbështetjes nga Kosova.