Belinda Balluku: Shqipëria avancon me Korridorin 8, thirrje Maqedonisë së Veriut për të përfunduar pjesën e saj
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka dhënë një intervistë ekskluzive për TV21, përpara hapjes së Tunelit të Murrizit, i cili do të përurohet nesër, më 14 mars 2025. Ky tunel është pjesë kyçe e autostradës që lidh Tiranën me Dibrën dhe, njëkohësisht, pjesë e Korridorit 8 — një projekt i rëndësishëm europian që synon të lidhë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Italinë.
Gjatë fjalës së saj, Balluku nënvizoi rëndësinë strategjike të këtij korridori për integrimin europian dhe bëri thirrje për përshpejtimin e punimeve në anën maqedonase.
“Nuk flitet më për rrugë kombëtare, por për korridore europiane. Korridori 8 lidh Shqipërinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Edhe pse është nisur më vonë në Shqipëri, ne kemi ecur më shpejt. Tani, pala maqedonase duhet të përgjigjet dhe ta përfundojë pjesën e saj, sepse edhe ata, sikurse Shqipëria, kanë aspirata për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Për këtë, duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, ku ndërlidhja e transportit rrugor është një ndër kushtet kryesore,” theksoi Balluku.
Hapja e Tunelit të Murrizit shënon një hap të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe përshpejtimin e qarkullimit mes Tiranës dhe Dibrës, duke e afruar më shumë Shqipërinë me rrjetin e madh të transportit europian.
A1 Info