Bekim Hamëz Jashari reagon ashpër ndaj deklaratave që krahasojnë veprimet e Kosovës në veri me regjimin e Millosheviqit
Bekim Hamëz Jashari ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa individëve dhe politikanëve në Kosovë, përfshirë edhe persona që, sipas tij, paraqiten si “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari, të cilët kanë krahasuar veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit me krimet e regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Në reagimin e tij, Jashari i ka cilësuar këto deklarata si të turpshme dhe të papranueshme, duke theksuar se ato përbëjnë një fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për padije apo lapsus politik, por për qëndrime që relativizojnë krimet serbe dhe dëmtojnë interesat e shtetit të Kosovës.
“Është e papranueshme të krahasohet sundimi dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e një shteti sovran që po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka paralajmëruar se deklarata të tilla i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë, e cila, sipas tij, synon përçarjen e brendshme dhe dobësimin e unitetit politik në Kosovë.
Jashari ka theksuar se qytetarët e Kosovës e njohin mirë të kaluarën dhe veprimet e secilit aktor politik dhe se historia nuk mund të fshihet apo rishkruhet për interesa të përditshme politike.
Në fund, ai ka bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe interesave strategjike të vendit, e jo kalkulimeve afatshkurtra politike.