Artan Grubi në paraburgim me masa të shtuara sigurie
Artan Grubi, i cili u dorëzua në orët e hershme të mëngjesit në pikën kufitare të Bllacës, është dërguar në paraburgim në burgun e Shutkës në Shuto Orizare.
Sipas informacioneve nga autoritetet e burgut, para kontrollit të detyrueshëm mjekësor ai është pyetur nëse ndihej i sigurt dhe nëse kishte persona në paraburgim nga të cilët mund të ndihej i rrezikuar. Grubi ka deklaruar se nuk ndihet i sigurt, duke theksuar se “gjithçka është kundër meje dhe të gjithë janë kundër meje”.
Për shkak të kësaj deklarate, administrata e burgut ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie. Ai është sistemuar në një dhomë vetëm me një të paraburgosur tjetër dhe nuk do të ketë persona të tjerë në atë hapësirë. Gjithashtu, pranë qelisë së tij është vendosur roje speciale me mbikëqyrje 24-orëshe.
Nga burgu bëjnë të ditur se këto masa janë standarde në raste kur një i paraburgosur deklaron se ndihet i rrezikuar, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit të paraburgimit.