Arta Selimi: Një javë plot aktivitete në Mal të Zi: Promovim i gruas shqiptare dhe kulturës autoktone (foto galeri)
Java që lamë pas ishte e mbushur me aktivitete në Mal të Zi, ku figura të rëndësishme të rajonit u bënë bashkë për të promovuar fuqizimin e gruas shqiptare dhe pasurinë kulturore të trojeve tona.
Më 8 Mars, Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Komuna e Tuzit organizuan “Forumin e Gruas Shqiptare në Rajon”. Ky forum trajtoi problematikat me të cilat përballen gratë shqiptare, ndërsa u promovuan modele suksesi dhe talente frymëzuese. Panelet e diskutimit vunë theksin në forcimin e rrjeteve rajonale dhe ndërkombëtare për gratë dhe vajzat, si dhe përfshirjen e tyre në sektorin e turizmit.
Një nga momentet më të veçanta ishte Mbrëmja Gala në kantinën e njohur të verës “13 Korriku” në Shipshanik, ku pjesëmarrësit u mirëpritën nga Kryetari i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj dhe znj. Andriola Kambo, Drejtoresha Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon. Atmosferën artistike e zbukuroi performanca e këngëtares Marsela Çibukaj.
Aktivitetet vazhduan në sheshin Skënderbeu në Tuz, ku u mbajt një festival kulinarik, duke shpalosur pasurinë kulturore përmes gastronomisë dhe produkteve autentike shqiptare.
Java u përmbyll me një aktivitet sportiv, gara “Ulqini Trail 2025”, ku pjesëmarrësit, mes tyre edhe përfaqësues nga Komuna e Preshevës, vrapuan në peizazhet mahnitëse të Ulqinit.
Këshilltarja e Kuvendit Komunal në Preshevë, Arta Selimi, përmes një postimi në rrjetet sociale ndau emocionet e saj për këtë javë intensive, duke theksuar rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve nga të gjitha trojet dhe promovimit të vlerave tona kulturore dhe shoqërore.
A1 Info





