Armend Aliu: Prekazi Tempulli i Lirisë dhe Qëndresës Kombëtare

Në tokën e shenjtë të Prekazit, aty ku çdo gur flet historinë e gjakut dhe sakrificës, zëvendëskryetari i Komunës, Armend Aliu, bashkë me delegacionin zyrtar, sot përkuli kokën me respekt dhe nderim para varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe anëtarëve të Familjes Jashari, të cilët u flijuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Prekazi nuk është thjesht një vend, por një testament i gjallë i qëndresës heroike, një udhërrëfyes për brezat që vijnë, për t’u kujtuar se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak e sakrificë. Çdo hap në këtë vend të lavdishëm të përplas me kujtimet e një marsi të përgjakshëm, ku një familje e tërë, me në krye Adem Jasharin, dëshmoi se atdheu mbrohet me zemër e shpirt.
Armend Aliu, me përulësi dhe krenari, vizitoi shtëpitë-muze, aty ku muret ende ruajnë plagët e plumbave, por frymëzojnë qëndresë e shpresë. Takimi me bacën Rifat Jashari, këtë simbol të pathyeshëm të krenarisë kombëtare, ishte një moment i veçantë që rikujton se amaneti i dëshmorëve jeton në zemrat e çdo shqiptari.
Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari! Lavdi Familjes Jashari! Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit!
Prekazi është dhe do të mbetet përjetësisht drita që ndriçon rrugën tonë drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar!



