Ardita Sinani pret në kabinet nxënësit e dalluar nga Presheva
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka pritur në kabinetin e saj nxënësit e Shkollës Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, të cilët kanë arritur rezultate të larta në garat republikane në Serbi.
Në një konkurrencë të fortë ku morën pjesë 1264 shkolla dhe 584 garues në Novi Sad, nxënësja Elena u rendit në vendin e pestë, ndërsa Amela në vendin e gjashtë, duke përfaqësuar me dinjitet jo vetëm shkollën, por edhe komunën e Preshevës në nivel republikan.

Edhe pse nxënësi Taulant nuk arriti të ftohej për shkak të një kriteri shtesë, puna dhe përkushtimi i tij u vlerësuan si shembull për t’u ndjekur në të ardhmen.
Sinani theksoi se këto suksese janë rezultat i përkushtimit të nxënësve, profesionalizmit të mësimdhënësve – veçanërisht të profesoreshës Teuta – si dhe angazhimit të stafit shkollor nën drejtimin e drejtorit Bardhyl Bajrami.
Ajo i cilësoi këto arritje si një burim krenarie për komunën dhe një motivim për të rinjtë e tjerë që të ndjekin rrugën e dijes dhe suksesit.