ARDITA SINANI NGA STRASBURGU: NË QENDËR TË VËMENDJES DISKRIMINIMI NDAJ SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS
Strasburg – Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, zhvilloi sot një sërë takimesh të nivelit të lartë në Strasburg, ku shoqërohej nga një delegacion i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Vizita është realizuar me mbështetje të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të përpjekjeve të intensifikuara për lobim ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë.
Në fokus të vizitës ishin takimet me raportuesit për Kosovën dhe Serbinë në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon dhe z. Vladimir Bilčik, të cilët ishin të shoqëruar nga ekipet e tyre përkatëse. Sinani i cilësoi këto takime si konstruktive dhe tejet të frytshme, ku u ngritën çështje thelbësore të diskriminimit sistematik që përjetojnë shqiptarët në Luginë.
“Kërkova që çështja e të drejtave të shqiptarëve të trajtohet në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe në kontekst të simetrisë me trajtimin e pakicës serbe në Kosovë,” – deklaroi Sinani pas takimeve.
Kryetarja Sinani theksoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës, veçanërisht e Kryeministrit Albin Kurti, ka qenë kyçe në mundësimin e kësaj vizite, ashtu si në rastet e mëhershme të vizitave në Senatin Amerikan, Kongres dhe OKB. Ajo vlerësoi se përfshirja e çështjes së Luginës në agjendat evropiane është dëshmi e përkushtimit institucional për të garantuar të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen.
Vizita në Strasburg është një tjetër hap i rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe një sinjal i qartë se kjo çështje nuk do të mbetet në heshtje.
A1 info