Ardita Sinani në Prekaz: Sakrifica e familjes Jashari, udhërrëfyes për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Më 6 mars 2025, në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me një delegacion komunal, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Gjatë kësaj vizite, ajo u prit nga anëtarët e familjes Jashari, përfshirë bacën Rifat Jashari, si dhe Bekimin e Lulin, të cilët ndanë frymën e qëndresës dhe sakrificës.
Në profilin e saj, Sinani shkroi:
“Me delegacionin nga Komuna e Preshevës, bëmë homazhe në Prekaz, në vendin ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës u skalit në histori me sakrificën sublime të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari. Gjatë kësaj vizite, patëm nderin të pritemi nga baca Rifat Jashari, si dhe nga Bekimi e Luli, të cilët me përkushtimin dhe fjalët e tyre na e përcollën frymën e qëndresës dhe sakrificës. Qëndresa dhe lufta për liri e drejtësi e UÇK-së na obligojnë që të mbrojmë dhe të çojmë përpara idealet kombëtare, duke mos harruar kurrë rrugën e sakrificës që solli lirinë. Kjo është një betejë që vazhdon edhe sot për ne në Luginën e Preshevës, ku të drejtat tona kombëtare vazhdojnë të sfidohen. Inspiruar nga heroizmi i Prekazit, ne mbetemi të përkushtuar për të drejtat, barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi familjes Jashari!”