Ardita Sinani: Gjendje e rëndë në Sektorin e Zjarrfikësve në Preshevë, kërkohet investim urgjent dhe përfaqësim i drejtë
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vizituar sot nga afër Sektorin e Zjarrfikësve në këtë komunë, ku ka konstatuar një gjendje të rënduar sa i përket kushteve teknike dhe mjeteve të punës.
Sipas saj, kamionët dhe pajisjet intervenuese janë të vjetruara, duke e vështirësuar ndjeshëm kryerjen e detyrave jetike në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve. Ajo theksoi se investimi në sigurinë publike mbetet prioritet i qartë i udhëheqjes komunale.

“Do të angazhohemi maksimalisht për sigurimin e mjeteve dhe pajisjeve të reja, në mënyrë që zjarrfikësit të kenë kushte adekuate dhe standarde profesionale në ushtrimin e detyrës,” deklaroi Sinani.
Në fokus të reagimit ishte edhe çështja e përfaqësimit etnik në këtë sektor. Aktualisht, në Sektorin e Zjarrfikësve në Preshevë janë të punësuar 7 serbë dhe vetëm 1 shqiptar. Kryetarja theksoi se nuk ka asnjë qasje përjashtuese ndaj askujt, por kërkoi që të mos anashkalohen kuadrot shqiptare, sidomos në një komunë ku mbi 90 për qind e popullsisë janë shqiptarë.

Ajo vlerësoi se përfaqësimi i drejtë është i rëndësishëm jo vetëm si parim barazie, por edhe për arsye funksionale, si komunikimi me qytetarët, njohja e terrenit dhe koordinimi efektiv në territorin e komunës.
Duke qenë se procesi i konkursit për zjarrfikës të rinj është pranë përmbylljes, Komuna është në komunikim të vazhdueshëm me Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për monitorimin e procesit.

Sinani kërkoi transparencë të plotë dhe një proces të drejtë e të paanshëm, në mënyrë që ky sektor i rëndësishëm të forcohet mbi bazën e profesionalizmit dhe përfaqësimit të barabartë.
Sipas saj, Presheva meriton shërbime efikase, standarde të larta sigurie dhe trajtim të drejtë për të gjithë qytetarët e saj.