Arbër Pajaziti publikon dokumentin zyrtar dorëzuar ministrit Demo Berisha dhe kryetarit të Trupit Koordinues
Bujanoc, 26 shtator 2025 – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Arbër Pajaziti, ka publikuar sot përmbajtjen e dokumentit me 10 pika që ia dorëzoi ministrit për të Drejtat e Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Shoqëror, Demo Berisha, si dhe kryetarit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq.
Takimi ndërinstitucional u zhvillua më 23 shtator 2025 në Bujanoc, ku përfaqësuesit shqiptarë shtruan kërkesa konkrete për të drejtat dhe nevojat e komunitetit shqiptar në Luginë.
“Nëse kam bërë ndonjë gabim, le të thuhet hapur” – Pajaziti sfidon kundërshtarët politikë
Pajaziti, përmes një postimi në rrjete sociale, theksoi se publikimi i dokumentit vjen si akt transparence dhe përgjegjësie ndaj qytetarëve shqiptarë. Ai i ftoi publikisht qytetarët, por në veçanti kundërshtarët e tij politikë, që të shqyrtojnë përmbajtjen e dokumentit dhe të deklarohen hapur nëse ndonjë nga pikat është kundër interesave të shqiptarëve ose në kundërshtim me Planin 7-pikësh.
“Unë nuk kam nevojë për kërkim falje, por do të dëshiroja sinqeritet”, u shpreh Pajaziti, duke shtuar se dokumenti në shqip është i qasshëm për publikun, ndërsa ai në gjuhën serbe u dorëzua zyrtarisht tek përfaqësuesit shtetërorë.
Dokumenti përmban 10 kërkesa kyçe
Dokumenti i dorëzuar, sipas Pajazitit, përmban dhjetë kërkesa konkrete që adresojnë problematikat më të ndjeshme të shqiptarëve në Luginë – nga përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, arsimi, përfaqësimi institucional, e deri te zhvillimi ekonomik dhe kthimi i të shpërngulurve.
Përmbajtja e plotë e dokumentit pritet të analizohen edhe nga përfaqësues të tjerë politikë dhe institucionalë në ditët në vijim.


