Arbër Pajaziti i drejtohet Shaip Kamberit: “Nuk jam telall i shqiptarisë, e as i kutive të mbushura”
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Shaip Kamberi, duke e akuzuar këtë të fundit për dezinformim publik dhe përpjekje për dominim politik përmes diskursit të vetëshpallur përfaqësues.
“Nuk paraqitem si telall i shqiptarisë në Luginë, sepse nuk kam nevojë të mbuloj ndonjë të kaluar të dyshimtë”, deklaroi Pajaziti, duke iu referuar mënyrës se si, sipas tij, Kamberi përpiqet të paraqitet si i vetmi zë legjitim i shqiptarëve në Serbi.
Në reagimin e tij, Pajaziti konfirmoi se nuk e ka kundërshtuar planin 7 pikësh, për të cilin Kamberi vazhdimisht thotë se po anashkalohet:
“Madje, edhe dje potencova se riemërimet e qeverisë nuk duhet të shërbejnë për të trajtuar problemet e shqiptarëve nga e para, sikur të mos ekzistonte asgjë më parë.”
Ai shtoi se dokumenti me 10 pika që e ka prezantuar nuk është bërë në bashkëpunim me ministrin Demo Berisha:
“Nuk i përkas praktikës koordinuese që e ushtron deputeti Kamberi në veprimet e tij.”
Pajaziti u distancua nga çdo insinuatë për bashkëpunim të fshehtë me pushtetin qendror:
“Unë kam koalicion transparent në nivel lokal, nuk jam i deleguari i kutive të mbushura e as i gjyqit të Nishit. Po ashtu, nuk jam në dosjet e organeve për korrupsion.”
Ai shtoi se dokumenti i tij është një hap fillestar për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të ndershme me institucionet shtetërore, duke e cilësuar si të papranueshme mënyrën se si Kamberi përpiqet të monopolizojë zërin e shqiptarëve të Luginës.
“Deputeti po përpiqet të shpikë diçka ‘në emër të shqiptarëve’, por nuk mund të më vërë në grackë mua, sikur ka bërë me subjekte të tjera politike. Mjerë ato subjekte që bazohen vetëm në ‘aftësinë e një individi’. Nuk e di pse funksionojnë si parti,” – u shpreh Pajaziti.
Ai përmendi se dokumenti i paraqitur nga ai është dërguar edhe në Prishtinë dhe Tiranë, si dhe në misione diplomatike ndërkombëtare – duke përgënjeshtruar pretendimin se ai po vepron i shkëputur nga qendrat kombëtare.
Në fund të deklaratës, Pajaziti përsëriti mesazhin kryesor:
“Nuk jam telall i shqiptarisë në Luginë, sepse nuk kam nevojë të mbuloj ndonjë të kaluar të dyshimtë.”