Arber Pajaziri viziton kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, për të forcuar bashkëpunimin rajonal
Arber Pajaziri pati kënaqësinë të jetë mysafir i kryetarit të Ferizajt, z. Agim Aliu. Në fillim të takimit, ai e uroi kryetarin për mandatin e ri, duke i dëshiruar suksese në punë dhe realizimin e sa më shumë projekteve të dobishme për qytetarët e komunës.
Gjatë takimit, u diskutua mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet komunës së Bujanocit dhe Ferizajt, veçanërisht në fushat e kulturës, arsimit dhe rinisë. Duke pasur parasysh transformimin e gjithanshëm që Ferizaj ka përjetuar vitet e fundit, në fokus të bisedës ishin gjithashtu modalitetet e zhvillimit ekonomik dhe përvojat e suksesshme që mund të shkëmbehen.

Kryetari Agim Aliu shprehu gatishmërinë për të mbështetur Bujanocin, duke vënë në dispozicion resurset dhe përvojën e stafit të tij në shërbim të komunës sonë.
Si qeverisje lokale, komuna e Bujanocit mbetet e përkushtuar në krijimin e partneriteteve dhe urave bashkëpunimi, me qëllim që çdo iniciativë të përkthehet në përfitim konkret për qytetarët.