Ana Bërnabiq akuzon opozitën serbe: “Po i kënaqni Albin Kurtin dhe mediat në Kosovë”
Në mes të tensioneve dhe përplasjeve të ashpra në Parlamentin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq ka bërë deklarata të forta kundër opozitës serbe, duke i akuzuar ata se “po i kënaqin” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe mediat kosovare.
Gjatë fjalës së saj në foltore, Bërnabiq mbante në duar disa shkrime të mediave nga Kosova që kishin raportuar për situatën kaotike të krijuar në parlament të martën, pas hedhjes së gazit lotsjellës nga opozita.
Ajo u shpreh se veprimet e opozitës serbe kanë bërë që “të shihen si heronj” nga shqiptarët, duke i quajtur këto akte një përpjekje për të destabilizuar situatën politike në Serbi.
“Kjo është propaganda e Albin Kurtit. Ju po i kënaqin terroristin Kurti dhe mediat shqiptare. Për shkak të tymit dhe gazit lotsjellës, tani po paraqiteni si heroina në Kosovë,” deklaroi Bërnabiq.
Seanca në parlament mbeti e tensionuar, me akuza dhe kundërakuza mes qeverisë dhe opozitës, ndërsa situata politike në Serbi duket se po përshkallëzohet gjithnjë e më shumë.