Ambasadori i Kosovës në Beograd viziton Luginën e Preshevës, diskutohet diskriminimi ndaj shqiptarëve
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, z. Jetish Jashari, zhvilloi sot një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u prit nga kryetarja e komunës si dhe nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Gjatë takimeve u diskutuan çështjet kryesore që prekin shqiptarët e Luginës, duke përfshirë sfidat e menaxhimit të qeverisjes lokale dhe diskriminimin e vazhdueshëm shtetëror ndaj tyre. Një ndër temat kryesore ishte edhe vendimi i padrejtë i Ministrisë së Pakicave për të ndaluar shpërndarjen e subvencioneve për bujqësinë dhe blegtorinë përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, një veprim që konsiderohet si thellim i diskriminimit ekonomik.
Gjatë takimit në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, z. Jashari u prit nga Sali Salihi, me të cilin diskutuan për diskriminimin sistematik dhe përjashtimin e fermerëve shqiptarë nga mbështetja financiare.
Përfaqësuesit e Luginës falënderuan ambasadorin për mbështetjen institucionale të Republikës së Kosovës dhe theksuan nevojën për angazhim ndërkombëtar në garantimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon.
“Rruga jonë mbetet e qartë: barazi dhe dinjitet për shqiptarët e Luginës!” – u theksua në këtë takim.