“Alternativa për Ndryshim” akuzon kryetaren Ardita Sinani për keqpërdorim të veturës zyrtare
(A1info)
Partia “Alternativa për Ndryshim” ka reaguar ashpër kundër kryetares së Komunës, Ardita Sinani, duke e akuzuar për keqpërdorim të veturës zyrtare.
Në reagimin e tyre të publikuar thuhet se sot, në mes të ditës, bashkëshorti i Sinanit është parë duke vozitur veturën e Komunës, duke e konsideruar këtë si një “skandal të rëndë”.
“SKANDAL! SKANDAL! SKANDAL! Vazhdon keqpërdorimi i veturës zyrtare nga kryetarja e Komunës!”, thuhet në reagim.
Ata akuzojnë se vetura që duhet të shërbejë për nevoja zyrtare është kthyer në “taksi private për nevoja familjare”, ndërsa kërkojnë një sqarim publik nga kryetarja për këtë veprim.
“Si është e mundur që bashkëshorti i kryetares, i cili nuk ka asnjë lidhje zyrtare me Komunën, të përdorë veturën zyrtare në mes të ditës?”, shton më tej reagimi i Alternativës për Ndryshim.
Për momentin, kryetarja Ardita Sinani nuk ka dhënë ende një përgjigje publike lidhur me këto akuza.