Lajmi i fundit: Shqiptarët e Luginës drejt dy mandateve në Parlamentin e Serbisë, Kamberi dhe Memeti në garë për deputetë
Shqiptarët e Luginës së Preshevës pritet të sigurojnë dy ulëse në Parlamentin e Serbisë, ndërsa Shaip Kamberi dhe Visar Memeti përmenden si përfitues të mundshëm të mandateve, sipas përllogaritjeve të publikuara nga FOLonline.
Sipas raportimit të FOLonline, bazuar në numrin e qytetarëve shqiptarë që kanë votuar në vendvotimet e tyre, Koalicioni Shqiptar ka marrë më shumë se 90 për qind të votave në vendvotimet shqiptare.
Nga këto të dhëna, vlerësohet se vetëm në komunat e Bujanocit dhe Preshevës, koalicioni ka siguruar rreth 25 mijë vota.
Përllogaritjet e FOLonline parashikojnë se listës shqiptare mund t’i shtohen edhe rreth 3 mijë vota nga Medvegja, Sanxhaku dhe pjesët e tjera të Serbisë.
Megjithatë, numri përfundimtar i mandateve do të përcaktohet pas përfundimit të numërimit të votave nga të gjitha listat zgjedhore dhe zbatimit të sistemit të ndarjes së mandateve sipas formulës së D’Hondt-it.
Rezultati përfundimtar do të konfirmojë nëse shqiptarët e Luginës do të përfaqësohen me dy deputetë në Kuvendin e Serbisë.