Takim në New York, në fokus partneriteti Kosovë-SHBA dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, u zhvillua një takim me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, investimeve, sundimit të ligjit dhe perspektivës euroatlantike të Republikës së Kosovës.
Shtetet e Bashkuara u cilësuan si aleati dhe partneri strategjik më i rëndësishëm i Kosovës, ndërsa u theksua rëndësia e vazhdimit dhe avancimit të bashkëpunimit dypalësh.
Në takim u diskutua edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe për partneritetin ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, i cili daton që nga viti 2011. Në këtë kuadër u theksua se Kosova ka kaluar nga një konsumuese e sigurisë në një kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ruajtjes së orientimit euroatlantik të rajonit dhe avancimit të Kosovës drejt pjesëmarrjes së plotë në organizatat ndërkombëtare.
Me kongresistin Wilson, i cili është aktiv edhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, u diskutua edhe për aspiratën e Kosovës për të avancuar drejt pjesëmarrjes së plotë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Shqiptarët e Luginës së Preshevës në fokus
Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
U ngritën shqetësimet lidhur me nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, polici, gjyqësor dhe shëndetësi, si dhe çështjet që lidhen me pasivizimin e adresave, pengesat në arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave të fituara në Republikën e Kosovës.
Në takim morën pjesë edhe deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Gjatë diskutimit u kërkua që çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të trajtohet në Komisionin e Helsinkit të SHBA-së dhe që shqetësimet lidhur me respektimin e të drejtave të tyre të përfshihen në komunikimet me Beogradin.
Në përfundim të takimit, kongresisti Joe Wilson u falënderua për mbështetjen e tij ndaj Kosovës dhe për angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkan.
Ai u ftua gjithashtu që ta vizitojë sërish Republikën e Kosovës, së bashku me një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.