Simiq: Regjimi i Kurtit po zvarrit proceset, synon zgjedhjet në dhjetor
Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka akuzuar qeverinë e Albin Kurtit se po “fiton kohë dhe po zvarrit proceset”, me shpresën që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen në dhjetor dhe të sigurojë mbështetjen dhe votat e qytetarëve nga diaspora.
Simiq, përmes një deklarate në Facebook, ka thënë se në këtë proces po tentojnë të përfshijnë edhe atë personalisht dhe Listën Serbe, përmes, siç i quajti ai, “akuzave të ndryshme nga njerëzit e bindur të Kurtit”.
Ai pretendon se po vazhdon praktika e shkeljes së dispozitave që përcaktojnë të drejtat e komunitetit serb, duke iu referuar nenit 67 të Kushtetutës, nenit 12.6 të Rregullores së Kuvendit dhe një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Simiqit, këto përcaktime garantojnë se posti i nënkryetarit i takon komunitetit serb.
Simiq ka kritikuar edhe kryetaren e sapozgjedhur të Kuvendit, Albulena Haxhiun, e cila njëkohësisht ushtron detyrën e presidentes, duke thënë se ajo i ka ftuar kryetarët e grupeve parlamentare në konsultime, por pa siguruar përkthim në gjuhën serbe.
“Duke dashur të luajë demokracinë, kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila njëkohësisht është ushtruese e detyrës së presidentes, i ftoi kryetarët e grupeve parlamentare në konsultime, por pa përkthim në gjuhën serbe, e cila garantohet me Kushtetutë”, ka deklaruar Simiq.
Ai tha se për këtë arsye e ka braktisur takimin, pasi nuk dëshiron, siç u shpreh, të pajtohet me shkeljen e së drejtës kushtetuese për përdorimin e gjuhës serbe dhe që me pjesëmarrjen e tij të “simulojë demokracinë”.
Në fund, Simiq tha se nuk frikësohet nga, siç e cilësoi, “linçimi” i krijuar përmes deklaratave të deputetëve të Kurtit, por shtoi se kjo, sipas tij, dëshmon se synimi është “të mbytet e drejta e popullit serb” dhe të zhvendoset vëmendja e opinionit publik nga pamundësia për formimin e institucioneve.