Instituti INSPIRE prezanton Dr. Sokol Latifin, kardiologun intervenues nga Presheva me karrierë të suksesshme në Gjermani
Në kuadër të prezantimit të ekipit të Institutit INSPIRE, ju njohim me Dr. Sokol Latifin, i lindur në Preshevë, ku ka kryer edhe shkollimin fillor dhe të mesëm.
Studimet universitare në mjekësi i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në periudhën 2007–2013. Që gjatë studimeve ka shfaqur interes të veçantë për kardiologjinë dhe sëmundjet e zemrës, interes që i ka orientuar rrugëtimin profesional. Pas diplomimit, ka vijuar përgatitjen klinike në Klinikën Kardiokirurgjike në Shkup, ku për një vit është angazhuar në departamentin e kardiokirurgjisë, duke fituar njohuri bazë në kirurgjinë kardiake dhe menaxhimin e pacientëve kardiologjikë.
Karrierën e ka vazhduar në Gjermani, fillimisht në landin Thüringen dhe më vonë në Klinikën Universitare të Nurembergut, ku për disa vite është angazhuar në formimin e specializimit në mjekësinë interne dhe kardiologji, duke fituar përvojë të gjerë në trajtimin e pacientëve kritikë dhe kardiologjikë. Paralelisht, ka kryer formim të avancuar në kardiologji përmes trajnimeve në Berlin, Wiesbaden dhe Mainz, me fokus në ekokardiografinë transesofageale dhe teknikat moderne diagnostike e intervenuese kardiologjike.
Në vitin 2020 përfundoi specializimin në mjekësinë interne të përgjithshme, ndërsa në 2021 atë në mjekësinë emergjente. Në vazhdim u fokusua gjithnjë e më shumë në kardiologjinë intervenuese, dhe në vitin 2023 përfundoi specializimin në kardiologji në Klinikën Universitare të Nurembergut, me fokus në kardiologjinë intervenuese dhe Device Therapy, si dhe trajnime të avancuara në procedura kardiologjike invazive dhe ndërhyrëse.
Që nga viti 2023, Dr. Latifi ushtron detyrën e kryemjekut, me fokus në kardiologjinë intervenuese dhe terapinë me pajisje, duke kombinuar përvojën e gjatë klinike me qasjet moderne të trajtimit kardiovaskular.
🔗 Biografia e plotë: https://instituti-inspire.org/anetaret/30