Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” dhe Teatri i Qytetit në Preshevë sjellin program të pasur kulturor në kuadër të “Ditëve të Diasporës 2026”
Preshevë – Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica”, në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit në Preshevë, do të organizojë një program të larmishëm kulturor dhe artistik në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës 2026”, i cili do të mbahet më 1, 2 dhe 3 gusht, duke filluar nga ora 19:30.
Manifestimi do të hapet më 1 gusht në oborrin e Shtëpisë së Kulturës me një mbrëmje muzikore, ku do të performojnë SHKA “Presheva” dhe Kori “Nexhmije Pagarusha” nga Prishtina, duke sjellë para publikut një program të pasur me këngë dhe valle tradicionale.
Programi do të vazhdojë më 2 gusht në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës, ku Teatri i Qytetit në Preshevë do të shfaqë dramën “Vetmi në Perëndim”, një vepër e njohur e repertorit bashkëkohor.
Ndërkaq, më 3 gusht, po në sallën e madhe, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqjen teatrale “Ikja nga Gjermania”, duke përmbyllur kështu programin treditor të këtij manifestimi.
Organizatorët ftojnë qytetarët, mërgimtarët dhe të gjithë dashamirët e artit dhe kulturës që të marrin pjesë në këto aktivitete, të cilat synojnë të pasurojnë jetën kulturore të qytetit dhe të forcojnë lidhjet me diasporën.
Mirë se vini në “Ditët e Diasporës 2026” në Preshevë!