(Dokument) Drejtori i Gjimnazit “Skënderbeu” kritikohet për mosrespektimin e gjuhës shqipe
Një prind ka reaguar publikisht pasi, sipas tij, gjatë regjistrimit të djalit në Gjimnazin “Skënderbeu”, formulari i aplikimit ishte i disponueshëm vetëm në gjuhën serbe dhe me alfabet cirilik, pa version në gjuhën shqipe.
Ai e cilësoi këtë si një shkelje të të drejtave gjuhësore dhe një mungesë respekti ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve, duke theksuar se është e papranueshme që një institucion arsimor ku ndjekin mësimin edhe nxënës shqiptarë të mos ofrojë dokumentacion edhe në gjuhën shqipe.

Reagimi i drejtohet edhe drejtuesve të shkollës, të cilët kritikohen se nuk kanë siguruar përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentacionin zyrtar. Po ashtu, u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Këshillin Kombëtar Shqiptar, që të ndërmarrin masa për të garantuar zbatimin e të drejtave gjuhësore të komunitetit shqiptar.
Prindi paralajmëroi se, nëse situata nuk ndryshon, do të shqyrtohen forma demokratike të reagimit qytetar, përfshirë edhe organizimin e protestave.
“Më prekët gjuhën, më prekët identitetin.” – përfundon reagimi publik.