KALENDARI HISTORIK
Më 28 qershor të vitit 1969 vdiq Ferit bej Vokopola. U lind më 18 gusht të vitit 1887 në Durrës, Ka qenë sheh i tarikatit Rufaii dhe firmëtari më i ri i Aktit të Pavarësisë, organizator i Kongresit të Lushnjes, ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës. Në vitin 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku u caktua kryesekretar i Ministrisë së Financave në qeverinë e Ismail Qemalit, Në vitin 1914 qe kryesekretar i Ministrisë së Punëve Botore në qeverinë e Turhan pashë Përmetit. Më 1925 u shpreh në parlament për Tiranën kryeqytet. Në fushën e legjislacionit Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë përgatitën dhe miratuan në parlament Kodin Civil të viteve ’30. Në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë, ai bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman shqiptar. Pas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë njohës i gjuhëve orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.
a1info