Presheva mirëpret Panairin e Librit 2026 me moton “Libri dhe Tradita”
Preshevë – Më 8 dhe 9 korrik 2026, në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, do të mbahet Panairi i Librit – Preshevë 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Luginën e Preshevës, që këtë vit vjen me moton “Libri dhe Tradita”.
Panairi organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Komunës së Preshevës.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit, vizitorët do të kenë mundësinë të njihen me botimet e mbi 25 shtëpive botuese shqiptare, të zgjedhin nga mijëra tituj për fëmijë, të rinj dhe të rritur, si dhe të marrin pjesë në takime me autorë, botues dhe dashamirë të librit.
Pjesë e programit do të jetë edhe një ekspozitë pikturash me artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, si dhe një program artistik i pasur me Festivalin e Këngës.
Ceremonia solemne e hapjes do të zhvillohet më 8 korrik, duke filluar nga ora 19:00, kur do të bëhet edhe hapja e ekspozitës së pikturave dhe do të prezantohet programi artistik.
Ndërkaq, më 9 korrik, panairi do të jetë i hapur për vizitorët nga ora 10:00 deri në 16:00, ndërsa ekspozita e pikturave do të mbetet e hapur gjatë gjithë ditës.
Organizatorët, Biblioteka e Qytetit “Mehmet Jusufi” dhe ALBAS Preshevë, ftojnë qytetarët, nxënësit, studentët dhe të gjithë dashamirët e librit dhe kulturës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila synon promovimin e leximit, artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Panairi i Librit – Preshevë 2026 pritet të shndërrohet në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës shqiptare, duke afruar krijues, artistë dhe lexues nga të gjitha trevat shqiptare.