Ajan Hajrullahu fiton Çmimin e Tretë në Kupën e 14-të Evropiane të Matematikës (EMC)
Prishtinë, 20 qershor 2026 – Kosova ka shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare të matematikës. Në Kupën e 14-të Evropiane të Matematikës (EMC), e cila këtë vit u organizua me pjesëmarrjen e nxënësve nga më shumë se 40 shtete të botës, ekipi i Kosovës arriti të fitojë një Çmim të Tretë.
Meritues i këtij vlerësimi është nxënësi Ajan Hajrullahu, i cili përfaqësoi me sukses Kosovën në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka uruar dhe përgëzuar ekipin për rezultatin e arritur, duke vlerësuar përkushtimin, talentin dhe punën e palodhur të nxënësve që përfaqësojnë vendin në gara të nivelit të lartë ndërkombëtar.
Në reagimin e saj, shoqata ritheksoi angazhimin për të mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës, duke ofruar mundësi dhe mbështetje për zhvillimin e tyre akademik dhe konkurrues.
Ky sukses përbën një tjetër dëshmi të potencialit që kanë nxënësit kosovarë në shkencat ekzakte dhe kontribuon në promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të matematikës.
Burimi: Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.