U hap Panairi i 26-të i Librit “Prishtina 2026”, prezantohet edhe kolana e re e librave për Arduino
Prishtinë, 17 qershor 2026 – Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është hapur sot zyrtarisht Panairi i 26-të i Librit “Prishtina 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për botën e librit dhe botimit në hapësirën shqiptare.
Ceremonia e hapjes u shoqërua me fjalime të personaliteteve institucionale dhe të fushës së botimeve. Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, z. Edon Zeneli. Më pas, fjalën e mori ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa në emër të kryeqytetit foli edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Në panair po marrin pjesë një numër i konsiderueshëm shtëpish botuese nga të gjitha trojet shqiptare, duke sjellë botime të reja, tituj të njohur dhe aktivitete promovuese për lexuesit.
Ndër pjesëmarrësit nga Lugina e Preshevës është edhe stenda e inxhinierit të elektroteknikës, Hysamedin Ahmeti – Hyska. Ai paraqitet para vizitorëve me botimet e tij të mëparshme, si dhe me kolanën më të re prej shtatë librash kushtuar platformës Arduino, e cila prezantohet për herë të parë në këtë edicion të panairit.

Panairi i 26-të i Librit “Prishtina 2026” do të qëndrojë i hapur për vizitorët deri të dielën, duke ofruar mundësi për takime me autorë, promovime librash dhe njohje me botimet më të reja nga hapësira shqiptare.