Kushtrim Kadri: “Boll u matët e boll votuam, hajde tash bëni institucionet”
Prishtinë – Kryetari i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadri, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se qytetarët e kanë përmbushur obligimin e tyre demokratik dhe tani përgjegjësia bie mbi partitë politike.
Në një reagim publik, Kadri ka deklaruar se qytetarët kanë dalë në zgjedhje, kanë votuar dhe kanë shprehur vullnetin e tyre politik, ndërsa ka kërkuar nga subjektet politike që të tregojnë përgjegjësi dhe të ndërtojnë institucionet e vendit.
“Boll u matët e boll votuam, hajde tash bëni institucionet”, ka thënë ai, duke kritikuar zvarritjen e proceseve politike dhe mungesën e stabilitetit institucional.
Sipas tij, Kosova prej vitesh po përballet me një krizë të vazhdueshme institucionale, ku energjia e institucioneve po harxhohet në kalkulime politike, bllokada dhe interpretime procedurale, në vend që të fokusohet në zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe integrimet ndërkombëtare.
Kadri ka theksuar se qytetarët janë lodhur nga situatat e përsëritura me qeveri në detyrë, ministra ushtrues detyre dhe mandate të përkohshme, duke vlerësuar se një gjendje e tillë nuk duhet të bëhet normalitet për një shtet që synon stabilitet dhe zhvillim.
Ai u ka bërë thirrje partive politike që të ulen në tavolinë, të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve funksionale.
“Askush nuk i ka fituar të gjitha zgjedhjet dhe askush nuk mund të qeverisë i vetëm. Kompromisi nuk është dobësi; kompromisi është përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit”, është shprehur Kadri.
Në fund, kreu i Lëvizjes Vatra ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik, vendimmarrje dhe institucione funksionale për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme, duke kërkuar që interesat e qytetarëve të vendosen mbi kalkulimet partiake.