KRYETARI I KUVENDIT KOMUNAL SHPALL ZGJEDHJET PËR BASHKËSITË LOKALE NË KOMUNËN E PRESHEVËS
Preshevë, 8 qershor 2026
Kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Dr. Agim Sabedini, ka shpallur sot zgjedhjet për anëtarët e Këshillave të Bashkësive Lokale në territorin e Komunës së Preshevës.
Zgjedhjet do të mbahen më 19 korrik 2026, duke u mundësuar qytetarëve që në mënyrë demokratike të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në organet e Bashkësive Lokale.


Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit Komunal theksoi se Bashkësitë Lokale përfaqësojnë nivelin më të afërt të komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe pushtetit lokal, duke luajtur një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe adresimin e nevojave të përditshme të banorëve.
“Pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces është thelbësore për forcimin e demokracisë lokale, vetëqeverisjes dhe zhvillimin e komuniteteve tona”, u shpreh Dr. Sabedini.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të kontribuojnë në përzgjedhjen e përfaqësuesve që do të punojnë për interesat e vendbanimeve të tyre.
Komuna e Preshevës do të publikojë me kohë të gjitha informacionet shtesë lidhur me procedurat zgjedhore, vendvotimet dhe afatet përkatëse.
Dr. Agim Sabedini
Kryetar i Kuvendit Komunal të Preshevës