SHKRIM PËR UNIFIKIM
Shkruan: Nexhat Agushi
Pas vizitës së kongresistëve amerikanë në Preshevë, u shkrua dhe komentua shumë në rrjetet sociale, në portale e gazeta për rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi në Preshevë. Me këtë rast, pati vlerësime pozitive, por edhe kritika të sinqerta, e në disa komente nuk munguan edhe akuzat për organizim dhe pritje jo të mirë të delegacionit amerikan.
Ndër shkrimet që më lanë përshtypje, janë ai i Xhemaledin Salihut, i cili bën thirrje që subjektet politike shqiptare të hartojnë një dokument apo statut të përbashkët, si dhe shkrimi i Fitim Nuhiut, i cili përshkruan zhgënjimin dhe mospërgjigjen e popullatës në ngjarje të tilla. Megjithatë, kësaj here po zgjedh të shkruaj mbi këndvështrimin e këtij të fundit.
Fitim Nuhiu ka përshkruar shumë mirë vizitën e kongresistëve amerikanë në Preshevë dhe kujdesshëm ka kritikuar mospërgjigjen e popullatës shqiptare për t’i pritur miqtë tanë amerikanë ashtu siç duhet. Kështu që, e përgëzoj për aftësinë, profesionalizmin e, mbi të gjitha, guximin për t’u shprehur drejt dhe paanshëm.
Megjithatë, unë do të shtoja edhe diçka se udhëheqësit politikë e institucionalë do të duhej të ishin të unifikuar paraprakisht dhe të përcillnin mesazhin te popullata në tërësi për një mikpritje dinjitoze të delegacionit amerikan në Preshevë.
Sipas meje, vizita e tyre ishte pa dyshim e suksesshme dhe shumë e rëndësishme për Luginën e Preshevës. Është e qartë se politikanët shqiptarë janë angazhuar për realizimin e kësaj vizite dhe duhet falënderuar, prandaj nuk ka vend për akuza, por për kritika PO. Domethënë, le të shërbejë kjo që në të ardhmen të jemi të bashkuar dhe më të organizuar.
Për më tepër, gjatë viteve të pasluftës, thuajse në çdo tubim për pritjen e delegacioneve kombëtare e ndërkombëtare në Preshevë, u janë përgjigjur fizikisht struktura të ndryshme dhe të shumta të popullatës shqiptare (duke bartur slogane me mbishkrime të ndryshme për t’u shprehur mirëseardhje), përfshirë shoqërinë civile, ish-luftëtarët, punonjësit e institucioneve të ndryshme, studentët, mësimdhënësit e bile edhe grupe të nxënësve të shkollave të mesme e fillore me lule në duar.
Ndërsa tani, kur drejtorët e shkollave dhe disa institucioneve tjera po zgjidhen apo po caktohen me lidhje dhe intervenime të ndryshme pa u pyetur shqiptarët lokalë, atëherë të mos presim që ata bashkë me nxënësit, studentët dhe popullatën t’i bashkëngjiten dhe t’u përgjigjen tubimeve të tilla mikpritëse.
Aq më tepër, më vonë kuptova se në të njëjtën ditë, njëra nga shkollat në Preshevë paska organizuar shëtitje për nxënësit dhe mësimdhënësit te vendi – Livadhi i Shehut! Pra, udhëheqësit e institucioneve, intelektualët, por edhe njerëzit e rëndomtë, me apo pa qëllim, po u shmangen përgjegjësive…!
Në qytetin e Preshevës janë dhe veprojnë dy shkolla të mesme, një fillore, plus medreseja, të cilat numërojnë mbi 400 mësimdhënës. Nuk po them të mos mbahej mësimi e të lëshoheshin orët e mësimit, por nga një grup nxënësish prej secilës shkollë (grupe që merren me aktivitete të lira kulturore) kanë mundur të organizohen dhe, nën kujdesin e mësimdhënësve të tyre si dhe mësimdhënësve të tjerë të cilët në atë kohë nuk kanë pasur orë mësimi, të dilnin në pritje të delegacionit në fjalë.
P.S. Edhe në postimin tim në rrjetet sociale më 26 maj 2026, ditën e vizitës së kongresistëve në Preshevë, vetëm kam shprehur mendimin tim duke u bazuar në dijen, njohjen, profesionalizmin dhe përvojën time në përkthime dhe publicistikë. Besoj se autoritetet politike e institucionale të Luginës së Preshevës ta kenë kuptuar si kritikë të sinqertë e jo tendencioze.
Sidoqoftë, në fund bëj thirrje për unifikim të subjekteve politike në Luginën e Preshevës dhe shpresoj që t’i rikthehemi unitetit të viteve të ’90-ta, kur humbëm shumë pasuri dhe njerëz, por edhe fituam ‘liri mjaftueshëm’. Megjithatë, këtë ‘liri mjaftueshëm’ duhet ta ruajmë dhe ta shtojmë derisa të bëhet normale…!
Preshevë, 28.05.2026