Muharrem Salihu: Vizita e kongresmenëve amerikanë në Luginën e Preshevës është zhvillim historik për shqiptarët
Muharrem Salihu ka vlerësuar vizitën e kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Luginën e Preshevës si një zhvillim me peshë të jashtëzakonshme politike dhe kombëtare për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Sipas Salihut, kjo vizitë nuk është thjesht protokollare, por një sinjal i qartë se çështja e shqiptarëve të Luginës tashmë ka hyrë në vëmendjen e politikës amerikane në nivelet më të larta.
Gjatë takimeve me përfaqësues lokalë dhe komunitetin shqiptar, kongresmenët amerikanë janë informuar për problemet kryesore që lidhen me diskriminimin institucional, pasivizimin e adresave, mungesën e përfaqësimit politik, si dhe shkeljet e të drejtave themelore të shqiptarëve në këtë rajon.
Keith Self ka theksuar se ekzistojnë probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë dhe se respektimi i të drejtave të tyre mbetet një çështje që SHBA e ndjek me seriozitet, ndërsa Suhas Subramanyam ka nënvizuar nevojën që Serbia, në rrugën e saj drejt BE-së, të adresojë padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Luginës.
Salihu ka shprehur gjithashtu krenari për bashkëpunimin e tij me kongresmenin Keith Self, të cilin e ka cilësuar si mik të dëshmuar të shqiptarëve, duke theksuar se kjo mbështetje është rezultat i angazhimit të organizatës “Albanians For America”.
Sipas Muharrem Salihut, kjo vizitë është një sinjal i fortë se zëri i shqiptarëve të Luginës po dëgjohet më shumë në arenën ndërkombëtare.