Tronditje në PVD: Ish-drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit Mimoza Saqipi largohet nga PVD-ja, publikon reagim të ashpër ndaj partisë
Mimoza Saqipi, ish-drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit dhe një emër i njohur për mbështetjen publike ndaj Ardita Sinanit, ka bërë të ditur sot largimin e saj nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), së bashku me bashkëshortin.
Në një deklaratë publike, çifti njoftoi se nuk do të jetë më pjesë e subjektit politik, duke shprehur zhgënjim të thellë ndaj, siç thanë ata, mosmbajtjes së premtimeve dhe mungesës së ndjeshmërisë njerëzore.
“Pas shumë premtimeve të mëdha, fjalëve të bukura dhe ‘kujdesit’ që paskëshin për qytetarët, kuptuam se disa njerëz kanë talent të jashtëzakonshëm për të premtuar qiellin, e në fund të mos japin as hijen e një reje”, thuhet në reagim.
Sipas deklaratës, një ndër arsyet kryesore të largimit lidhet me, siç pretendojnë ata, “moskonsideratën dhe indiferencën” ndaj fëmijës së tyre me invaliditet dhe verbëri të plotë.
Në reagimin e tyre nuk munguan as kritikat e drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të partisë, të cilët i akuzojnë për mungesë humanizmi, interes personal dhe hipokrizi.
“Djali im mund të mos shohë me sy, por ai sheh me zemër. Dhe me atë zemër ka më shumë besim në Zot, më shumë dritë dhe më shumë vizion sesa shumë prej jush”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Në fund të reagimit, ata theksojnë se “historia gjithmonë e dallon kush ka parë me sy dhe kush ka parë me ndërgjegje”.
Thuhet në reagimin e çifti Saqipi.