Arbër Pajaziti: KKSH nuk guxon të dështojë as në përfaqësim e as në numra
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar lidhur me gjendjen dhe të ardhmen e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), duke vlerësuar se katër vitet e fundit duhet të shërbejnë si reflektim serioz për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas Pajazitit, gjatë mandatit të kaluar, KKSH nuk ka arritur të përmbushë rolin e tij si institucioni kryesor për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, duke humbur projekte dhe mjete të rëndësishme, ndërsa në disa raste, sipas tij, është dëmtuar edhe pozita institucionale dhe kombëtare e shqiptarëve në Luginë.
Ai kritikoi fokusimin në përplasje politike dhe tema jashtë mandatit të Këshillit Nacional, duke theksuar se prioritet duhej të ishin arsimi, kultura, informimi dhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe.
Pajaziti theksoi gjithashtu se, bazuar në rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë, shqiptarëve në Luginë u takojnë 29 përfaqësues në përbërjen e re të KKSH-së, por shtoi se kjo nuk do të realizohet automatikisht.
“Kthimi i Kuvendit të KKSH-së në 29 këshilltarë kërkon kërkesë serioze, angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim institucional me organet përgjegjëse”, deklaroi ai.
Kryetari i Bujanocit paralajmëroi se mungesa e angazhimit dhe neglizhenca mund të rrezikojnë edhe këtë mundësi, duke bërë thirrje që zgjedhjet e ardhshme të trajtohen si përgjegjësi kombëtare dhe jo si garë interesash politike.
“Këshilli Kombëtar duhet t’u kthehet detyrave të veta zyrtare dhe misionit për të cilin është krijuar: mbrojtjes së identitetit kombëtar, arsimit, kulturës, informimit dhe të drejtave të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e tij.
Në përfundim, Pajaziti theksoi se shqiptarët e Luginës meritojnë përfaqësim dinjitoz dhe të fuqishëm, duke nënvizuar se “koha kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe unitet”.