Vazhdon largimi i anëtarëve nga PVD, dorëhiqet edhe kryetari i nëndegës në Rahovicë
Largimet nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) po vazhdojnë edhe në degët lokale. Pas disa dorëheqjeve të mëhershme, së fundmi është konfirmuar edhe largimi i kryetarit të nëndegës së Rahovicës, Bujar Mustafa.
Në një njoftim publik, Mustafa ka bërë të ditur se nga sot largohet nga të gjitha funksionet partiake në PVD.
“Unë, Bujar Mustafa, si anëtar i PVD-së dhe kryetar i nëndegës së Rahovicës, që nga sot jap dorëheqje nga të gjitha pozitat në Partinë për Veprim Demokratik”, ka shkruar ai.

Dorëheqja e tij vjen në një periudhë kur brenda PVD-së janë evidentuar largime dhe pakënaqësi të njëpasnjëshme nga anëtarë dhe funksionarë të ndryshëm të partisë.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga drejtuesit e PVD-së lidhur me këto zhvillime.