Vuçeviç: “Nuk do të qetësohemi derisa të lirohen serbët e dënuar për Banjskën”
Miloš Vučević, kryetar i Partisë Progresive Serbe dhe këshilltar i presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, ka reaguar ashpër pas vendimit të shkallës së parë të gjyqësorit në Kosovë ndaj tre të akuzuarve për rastin e Banjskës.
Ai e cilësoi vendimin si “skandaloz”, duke pretenduar se bëhet fjalë për një vazhdim të, sipas tij, politikave të qeverisë së Kosovës ndaj serbëve. Në reagimin e tij publik, Vuçeviç deklaroi se autoritetet serbe nuk do të ndalen derisa të sigurojnë lirimin e të dënuarve.
“Serbët që ata nuk arritën t’i vrisnin ose dëbonin, do t’i burgosin. Nuk ka fund përndjekja, dhe as heshtja e të huajve që miratojnë të gjitha këto. Nuk ka fund as lufta jonë. Nuk do të qetësohemi derisa të lirojmë të burgosurit”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Reagimi vjen pasi gjykata në Kosovë shpalli vendimin e parë për tre nga 45 të akuzuarit për sulmin në Banjskë. Sipas vendimit, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burg.
Rasti i Banjskës vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke nxitur reagime të forta politike dhe tensione në rajon.