Grabitet dhe rrëmbehet pronari i një argjendarie në Tërnoc të Madh, autorët në arrati
Një grabitje e armatosur e shoqëruar me rrëmbim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tërnoc i Madh, pranë Bujanoc, ku cak i sulmit ishte pronari i një dyqani argjendarie.
Sipas informacioneve jozyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në dalje të fshatit, teksa argjendari po udhëtonte në drejtim të Bujanocit. Një grup personash të armatosur dyshohet se i kanë bllokuar rrugën me automjet, ndërsa nga një veturë tjetër kanë dalë autorët e armatosur, të cilët e kanë rrëmbyer.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se grabitësit kanë marrë me vete edhe sasinë e arit që viktima po transportonte për në dyqan. Sipas dëshmitarëve okularë, një nga automjetet e përdorura nga autorët ishte një Audi Q5.
Pas rrëmbimit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatit Breznicë dhe, sipas burimeve jozyrtare, kanë planifikuar të arratisen drejt Kosovo. Viktima më pas është lënë e lirë, ndërsa grabitësit janë larguar me arin e marrë.
Banorët e zonës kanë deklaruar se një automjet tjetër, i tipit Audi më i vjetër, kishte qenë i parkuar prej disa ditësh në hyrje të fshatit, duke ngritur dyshime se është përdorur për organizimin e pritës.
Autoritetet pritet të dalin me informacione zyrtare lidhur me rastin, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë në zhvillim.