Sopranoja Besiana Mehmedi reagon kundër mbylljes së IN “Ansambli Muzikor” në Tetovë
Sopranoja e njohur Besiana Mehmedi ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit për mundësinë e mbylljes së Institucionit Kombëtar “Ansambli Muzikor” në Tetovë, duke e cilësuar këtë si një hap të rrezikshëm për kulturën muzikore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e saj, Mehmedi – e cila është edhe ideatore dhe hartuese e dokumentacionit për themelimin e këtij institucioni – thekson se Ansambli Muzikor nuk është krijuar rastësisht, por si një nevojë e domosdoshme për zhvillimin e jetës artistike shqiptare në vend.
Ajo kujton se projekti është ndërtuar mbi modele të institucioneve muzikore në Sofje, Tiranë dhe Shkup, në bashkëpunim me dirigjentë dhe profesionistë nga rajoni. Fillimisht i konceptuar si “Teatër muzikor”, institucioni është themeluar më pas si “Ansambël muzikor”, duke përfshirë koristë, instrumentistë, solistë, dirigjentë dhe profile të tjera artistike.
Sipas saj, ky institucion ka pasur rol strategjik për shqiptarët në RMV, duke krijuar mundësi punësimi për kuadro të reja artistike dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të muzikës klasike, xhaz dhe asaj të popullarizuar.
Mehmedi thekson gjithashtu se themelimi i Ansamblit dhe koncerti gala i majit 2023 përbëjnë momente të rëndësishme kulturore, por se institucioni është përballur me pengesa të vazhdueshme, përfshirë anulime konkursesh dhe bllokime administrative, që sipas saj kanë çuar drejt stagnimit të qëllimshëm.
“Pavarësisht këtyre vështirësive, aktiviteti i Ansamblit ka vazhduar dhe mbyllja e tij është mision i pamundur,” shkruan Mehmedi, duke kundërshtuar fuqishëm idenë e shkrirjes së institucionit.
Ajo bën thirrje për veprim qytetar dhe institucional, duke kërkuar organizim, protesta dhe një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve relevante.
Në fund të reagimit, Mehmedi apelon për unitet pa dallime politike, duke theksuar se mbrojtja e këtij institucioni është edhe mbrojtje e së ardhmes së muzikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.